Në betejën e tij të dytë për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump duket nuk ka përballë vetëm Joe Biden, por edhe Barack Obama-n. Ish-presidenti po shfaqet po aq aktiv në fushatën e demokratëve për presidencialet e 3 Nëntorit, sa edhe kandidati zyrtar i tyre Joe Biden.

Nuk mbahet mend që një ish-president të dalë i vetëm në tubime elektorale në mbështetje të kandidatit të partisë së tij, siç bëri Obama në takimin më të fundit elektoral në Filadelfia, ku Biden nuk merrte pjesë fare. Gjuha e përdorur nga Obama ishte si e një kandidati dhe jo e një figure mbështetëse.

“Ne e dimë që Trump vazhdon të bëjë biznes me Kinën, sepse ka një llogari të sekrete bankare atje siç u zbulua këto 48 orë. Si është e mundur?”

Edhe Trump atij iu përgjigj në një takim elektoral në Karolinën e Veriut.

“Presidenti Obama po bën fushatë për Joe-në e përgjumur. Është mirë apo keq? Unë them që është mirë. Kështu bëri edhe me të kërrusurën Hillary dhe në fund fitova unë”.

Obama renditet mes presidentëve që e kanë mbyllur mandatin e dytë me një popullaritet të lartë që mund të siguronin edhe një të tretë nëse ua lejonte ligji.

Në kushtet e tij kanë qenë edhe Regan-i që popullaritetin e shfrytëzoi në fushatë për t’ia lënë karrigen George Bush-it të vjetër, të cilin e kishte zv/president. Bill Clinton po ashtu u përpoq që vendin t’ia linte zëvendësit Al Gore.

Por deri tani nuk ka ndodhur që një ish-president të jetë kaq aktiv sa Obama në mbështetje të kandidatit të partisë së tij, për më tepër edhe 4 vite pasi ka lënë presidencën.

Tv Klan