obama ne okbKanë startuar në New York punimet e sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat do të zgjasin deri në 30 shtator.

Sipas traditës, ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që iu adresua i pari delegacioneve të 193 vendeve anëtare, pjesëmarrëse në këtë mbledhje.

Barak Obama listoi në fjalën e tij 3 problemet kryesore me të cilat po përballet rendi botëror: konfliktin në Ukrainë, situatën shëndetësore pas shpërthimit të virusit Ebola dhe natyrisht kërcënimin që vjen nga Lindja e Mesme nga Shteti Islamik.

Barack Obama – President i SHBA:

Secili prej këtyre problemeve kërkon vëmendje urgjente. Por, ka simptoma të një problemi edhe më të gjerë, dështimin e sistemit tonë ndërkombëtar për të ruajtur ritmin në një botë të ndërlidhur. Për Amerikën zgjedhja është mëse e qartë. Ne zgjedhim shpresën mbi frikën! Nëse do t’i hedhim sytë përtej kufinjve tanë – nëse do të mendojmë globalisht dhe të veprojmë bashkarisht – mund t’i japim formë këtij shekulli, ashtu si paraardhësit tanë formësuan periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore”.

Veçanërisht, Obama i ka kushtuar një pjesë të madhe të fjalës së tij problematikës së terrorizmit, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara e hedhin poshtë idenë e një lufte mes civilizimeve.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, nënvizoi gjithashtu lidershipin e vendit të tij në koalicionin e gjerë prej 50 shtetesh për të zhdukur një herë e mirë Shtetin Islamik si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë në botë.

Barack Obama – President i SHBA:

Nuk ka Zot që të mbrojë këtë lloj terrori. Asnjë ankesë nuk mund t’i justifikojë këto veprime, nuk mund të ketë asnjë arsyetim, apo bisedime me këtë shfaqje të djallëzores. E vetmja gjuhë që kuptohet nga vrasës të tillë është gjuha e forcës!”

Obama ka ftuar liderët e mbarë botës që të hedhin me besim sytë nga e ardhmja.

Barack Obama – President i SHBA:

Njerëzit kudo në botë i kanë sytë nga ne, këtu, që të jemi aq të mirë, dinjitozë dhe të guximshëm sa ata janë në jetën e tyre të përditshme. Dhe në këtë udhëkryq, unë mund t’ju premtoj se Shtetet e Bashkuara nuk do të hutohen apo tremben nga ajo që duhet bërë. Bashkohuni në këtë mision të përbashkët, për fëmijët e të sotmes dhe të ardhmes”.

Tv Klan