Presidenti amerikan, Barak Obama, theksoi se janë shënuar hapa përpara në luftën kundër ISIS, pavarësisht trazirave politike në Irak dhe dhunës në Siri.

Gjatë një vizite të rrallë për një president në selinë e Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, Obama tha se ky është një moment i keq për militantët e Shtetit Islamik.

“Sot ISIS është në gjendje mbrojtëse në Irak dhe Siri. Koalicioni ynë me 66 anëtarë, përfshi edhe partnerët arabë, është në sulm. Jemi të vendosur të heqim qafe udhëheqësit dhe komandatët e tyre. Për ISIS, këto janë kohë të këqija”, 

deklaroi Obama.

Presidenti amerikan foli edhe për armëpushimin në Siri, duke nënvizuar se ai po funsksionon, por gjithsesi mbetet një situatë delikate.

Ai tha se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë ajo diplomatike.

“E vetmja mënyrë për të shkatërruar përfundimisht ISIS është t’i japim fund luftës civile në Siri, një konflikt të cilin ISIS e ka shfrytëzuar për të ngritur krye”,

deklaroi Obama.

Tv Klan