Obama_Hollande

Shtetet e Bashkuara dhe Franca ndajnë të njëjtin qëndrim për çështjen e programit bërthamor të Iranit. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidentët Barak Obama dhe Fransua Olond, kanë deklaruar se Republika Islamike duhet të japë prova se program i saj ka qëllime eksluzivisht civile. Sipas liderëve, marrëveshja e nënshkruar pak javë më parë me Iranin është vetëm provizore dhe se lehtësimi i sanksioneve i shërben vetëm kësaj qasje. Obama dhe Olond shprehën shqetësimin edhe për situatën në Siri, ndërsa deklaruan se ndryshimi i pushtetit në këtë vend është e vetmja rrugë zgjidhje për përfundimin e luftës civile. Ata shprehën besimin se edhe procesi i shkatërrimit të arsenalit kimik do të përfundojë me sukses, pavarësisht vonesave të verifikuara në nxjerrjen jashtë Sirisë.

Obama dhe Olond thanë se dy vendet gëzojnë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe do të vijojnë të nxisin rritjen e ndërsjelltë të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Po ashtu të dy presidentët ndanë të njëjtin qëndrim përsa i përket marrëveshjes së tregtisë së lirë mes SHBA dhe BE, e cila do ta çojë në një stad tjetër përfitmin e ndërsjelltë mes vendeve aleate. Olond falenderoi Obamën për ndihmën ushtarake që SHBA i ka dhënë dhe po jep Francës në angazhimet e saj në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qëndrore. Ndërsa theksuan angazhimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në çështjet e sigurisë, pavarësisht skandalit të përgjimeve. Olond ka parashikuar gjatë vizitës zyrtare edhe një takim me gjigandët e teknologjisë amerikane, për t’i nxituar ata të investojnë më shumë në Francë.