Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha të shtunën se Kosova është zotuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të përmbushet, ndërsa theksoi se duhet përballje me të vërtetën rreth asaj çfarë ka ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995.

Ai i bëri këto komente në Beograd pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se përgjatë diskutimeve të sotme qëndrimet ishin tërësisht të ndryshme rreth Kosovës dhe debateve që po zhvillohen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.

Zoti O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar përmbushjen e zotimit të Kosovës për themelimin e Asociacioni.

“Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush detyrimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e zotimit”, tha ai, sipas një përkthimi të zyrës së presidentit serb.

Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Themelimi i këtij mekanizmi është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.

Nuk pati ndonjë reagim të qeverisë së Kosovës rreth komenteve të zotit O’Brien, por kryeministri Albin Kurti, tha një ditë më parë se “nuk mund të flitet e diskutohet vetëm për ‘Asociacionin’: pa u pranuar dhe respektuar Marrëveshja bazike me udhërrëfyesin e zbatimit të saj.

Në projektstatutin e hartuar nga diplomatët perëndimorë thuhet se ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.

Diplomatët presin që autoritetet në Prishtinë ta dërgojnë projektstatutin në Gjykatën Kushtetuese dhe për ta bërë këtë ai duhet të miratohet nga qeveria dhe të shndërrohet në dokument juridik të shqyrtueshëm nga Gjykata.

Presidenti serb tha sot se “po na gënjejnë të gjithë, edhe Prishtina edhe Bashkimi Evropian” rreth asociacionit, ndërsa akuzoi Prishtinën për krijimin e problemeve të reja siç është çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Ai tha se Serbia do të vazhdojë t’i kundërvihet procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse në marrëveshjen e vitit të kaluar palët janë pajtuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Javën e kaluar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i hapi Kosovës rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë, fjalën përfundimtare për të cilin duhet ta jap Këshilli i ministrave muajin e ardhshëm.

Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

Presidenti serb u shpreh shumë i shqetësuar rreth rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, duke theksuar se ajo mund të dëmtojë marrëdhëniet në rajon.

“Mos harroni se ky është një vendim i një populli kundër një populli tjetër brenda Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha ai.

Projekt rezoluta e OKB-së, nismë e Gjermanisë dhe Ruandës, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Bosnja dhe Hercegovina dhe vende të tjera, kërkon që 11 korriku të jetë një ditë zyrtare ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Megjithë vendimin e gjykatave ndërkombëtare se në Srebrencië është kryer gjenocid, Beogradi dhe Republika Serbe e mohojnë një gjë të tillë. Presidenti i entitetit serb në Bosnjë, Milorad Dodik paralajmëroi shkëputjen nga Bosnja nëse miratohet një rezolutë e tillë.

Duke folur për rezolutën zoti O’Brien tha se synohet partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër, për t’u përballur me të vërtetën, duke kujtuar se si avokat i ri kishte punuar në hetimin e krimeve të luftës dhe ka qenë pjesë e ekipit të parë që ka hetuar vrasjet në Srebrenicë.

“Atëbotë, forcat e qeverisë së Serbisë na garantuan ne sigurinë dhe më pas me ne ishin edhe përfaqësuesit e OKB-së teksa ne po kryenim punën për të vërtetën. Edhe sot e kësaj dite po e bëjmë këtë, dhe ne duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë dhe duhet të jemi partnerë edhe tani”, tha zoti O’Brien.

Rezoluta pritet të hidhet në votim në fillim të muajit maj, ndërsa presidenti serb tha se do të udhëtojë për në Nju Jork për të vazhduar përpjekjet kundër saj.

Të hënën ai pritet të marrë pjesë në mbledhjes së radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Ai tha se Serbia dhe Shtetet e Bashkuara pajtohen për pak gjëra, përveç ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“Nga ana serbe, premtoj që Serbia do të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze”, tha presidenti Vuçiç.

Serbia është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Tensionet Kosovë – Serbi kanë shtuar shqetësimet se Rusia mund të përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor për të hequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë./VOA