“Një vend i varfër mori vetëm 25 doza vaksinash”

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se bota është në pragun e një “dështimi katastrofik moral” në lidhje me situatën e krijuar me shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19.

Tedros Adhanom Ghebreyesus kërkoi një ndarje më të drejtë të dozave të vaksinës mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Sipas tij, rreziku përfshin edhe mekanizmin e COVAX që u krijua pikërisht për shmangien e këtij skenari.

“Kjo mund të vonojë dërgesat e COVAX dhe të krijojë saktësisht skenarin që COVAX është krijuar për të shmangur, me grumbullime, një treg kaotik, një përgjigje të pakoordinuar dhe përçarje të vazhdueshme sociale dhe ekonomike”.

Një qasje e tillë e la botën më të varfër dhe më të prekshme ndaj rrezikut, tha kreu i OBSH në hapjen e takimit vjetor të Bordit Ekzekutiv në formatin virtual.

“44 marrëveshje të vendeve me të ardhura të larta u nënshkruan me kompani vaksinash në vitin 2020; këtë vit ka 12 marrëveshje bilaterale. Deri më tani, më shumë se 39 milionë doza janë administruar në të paktën 49 vende. Një vend me të ardhura të ulëta ka marrë vetëm 25 doza. Jo 25 milionë, por vetëm 25 vaksina. Unë duhet të flas qartë. Bota është në prag të dështimit katastrofik moral. Çmimi i kësaj do të paguhet nga vendet më të varfra në botë me jetën dhe burimet e tyre të jetesës”, vlerësoi ai.

Programi i vaksinave COVAX zhvillohet në koordinim me OBSH-në dhe pranohet si një iniciativë globale për shpërndarjen e drejtë të vaksinave midis vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Tv Klan