“Lija e majmunit shton barrën e krizave, pas Covidit dhe Ukrainës”

Përhapja e shpejtë e lisë së majmunit është një barrë më shumë mes krizave të mëdha me të cilat po përballet globi në këto kohë. Sipas kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bota po përballet me tre sfida të vështira njëherësh, Covid-19, luftën në Ukrainë dhe së fundi linë e majmunit.

Nga Gjeneva, ai tha se sëmundja është përhapur në të paktën 15 vende të tjera krahas Afrikës, ku qarkullon prej dekadash.

Sipas Tedros Adhanom Gebrejesus, pavarësisht përjetimit të vështirë me koronavirusin, përhapja e lisë së majmunit tregon se globi nuk është aspak i përgatitur për një pandemi të re. Ai bëri thirrje për reformimin e OBSH-së, që sipas tij duhet të vihet në qendër të një sistemi shëndetësor global.

Megjithatë, Gebrejesus tha se fatmirësisht lija e majmunit nuk është një sëmundje që përhapet shpejt dhe simptomat janë në përgjithësi të lehta që kalojnë në pak javë. Deri më tani numërohen zyrtarisht jo më pak se 80 të prekur jashtë Afrikës.

Tv Klan