Gjashtë prodhues në Indi dhe Indonezi po tregtojne ilaçe të tilla të cilat dyshohet se përmbajnë toksina

Organizata Botërore e Shëndetësisë po heton nëse ka ndonjë lidhje midis prodhuesve dhe shurupeve të kollës që i kanë marrë jetën mbi 300 fëmijëve në tre vende.

Duke përmendur nivelet e lartë të toksinave në këto produkte, OBSH po kërkon më shumë informacion në lidhje me lëndët e para specifike të përdorura nga gjashtë prodhues në Indi dhe Indonezi ku edhe numri i vdekjeve është i lartë si dhe nëse kompanitë i kanë marrë ato nga disa prej tyre.

OBSH po shqyrton gjithashtu nëse do të këshillojë familjet në të gjithë botën për të rivlerësuar përdorimin e shurupeve të kollës për fëmijët në përgjithësi, ndërkohë që pikëpyetjet mbi sigurinë e disa prej këtyre produkteve janë ende të pranishme. Ekspertët e OBSH-së po vlerësojnë provat nëse produkte të tilla janë të nevojshme për fëmijët.

Vdekjet e fëmijëve të cilat u shkaktuan nga dëmtimi akut i veshkave filluan në korrik 2022 në Gambia, pasuar nga rastet në Indonezi dhe Uzbekistan. OBSH ka thënë se vdekjet janë të lidhura me shurupet e kollës pa recetë që fëmijët merrnin për sëmundje të zakonshme dhe që përmbanin një toksinë të njohur dietilen glikol ose etilen glikol.

Prodhuesit e barnave në Indi dhe Indonezi kanë refuzuar të komentojnë mbi hetimin si dhe kanë mohuar se në këto shurupë mund të ketë patur toksina. Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara e ka shtrirë hetimin edhe në vende të tjera si Kamboxhia, Filipinet, Timori Lindor dhe Senegali i ka bërë thirrje qeverive dhe industrisë globale farmaceutike që të nisin kontrolle urgjente për sekuesteruar ilaçet nën standarde dhe për të përmirësuar rregulloren.

OBSH ka lëshuar tashmë alarme specifike për shurupet e kollës të bëra nga dy prodhues indianë, Maiden Pharmaceuticals dhe Marion Biotech, në Tetor 2022 dhe në fillim të këtij muaji. Kompania u shpreh se shurupet e tyre ishin të lidhura me vdekjet përkatësisht në Gambia dhe Uzbekistan dhe u kërkon njerëzve të ndalonin përdorimin e tyre.

Klan News