“Vaksinimi të përqendrohet në zonat me përhapje të lartë”

Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se përhapja e koronavirusit po reduktohet. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së tha në një konferencë për shtyp se numri i infektimeve është në rënie për të 7-ën javë radhazi, e po ashtu edhe numri i viktimave që po tkurret me ritme më të ngadalta.

Problem sipas tij, janë infektimet që përhapen më shpejt se ritmet e vaksinimit. Për këtë, numri 1 i OBSH-së bëri thirrje që injeksionet të përqendrohen në zonat, ku janë ritmet më të larta të përhapjes. Ai po ashtu tha se masat e ashpra anti-COVID kanë luajtur rolin kryesor në këtë reduktim drastik të shifrave të pandemisë, por paralajmëroi se ulja e vigjilencës mund të shkaktojë një valë të re përhapjeje.

Shqetësimi më i madh i momentit është mutacioni indian, përhapja e të cilit po shkakton rritje infektimesh në Britaninë e Madhe, por edhe në Rusi. Edhe autoritetet kineze i druhen një vale të re COVID-i si pasojë e të ashtuquajturit “varianti Delta”.

Tv Klan