Organizata Botërore e Shëndetësisë aprovon përdorimin në masë për vaksinën e parë kundër malaries për fëmijët. Ky vlerësohet si një moment historik, pasi është një progres i jashtëzakonshëm për shkencën, në kuadër të shëndetit pediatrik dhe luftën kundër malaries, ka deklaruar kreu i OBSH, Tedros Adhanom.

Vaksina e prodhuar nga multinacionalja farmaceutike britanike GlaxoSmithKline do të shpërndahet në Afrikën subsahariane, pas suksesist të programit pilot të imunizimit në Ghana, Kenya dhe Malaui.

Vaksina mund të shpëtojë dhjetëra mijëra jetë çdo vit, duke kujtuar që malaria prek rreth 230 milionë njerëz, nga të cilët rreth 400 mijë humbin jetën. Sipas statistikave të vitit 2019, në Afrikë si pasojë e saj humbën jetën 260 mijë fëmijë.

Nga programi pilot, u injektuan 2.3 milionë doza antimalarie dhe rezultoi se vakisna është e sigurtë dhe redukton 30% të sëmundjes me simptoma të rënda. Vaksina është me 4 doza, ku tre të parat merren me nga një muaj distancë nga njëra tjetra dhe e fundit, e katërta, pas 11 muajsh. Vaksinat mund t’iu aplikohen edhe bebeve duke nisur që kur janë 5 muajsh.

Klan News