Hidroksiklorokina përdorej kundër Covid-19, por rezulton problematik

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pezulluar përkohësisht përdorimin e hidroksiklorokinës. Ky vendim vjen pasi një javë më parë revista shkencore Lancet në një artikull të saj tregonte se nëse ky medikament përdoret në masë atëherë do të rriten shanset që njerëzit të vdesin.

Në një video konferencë kreu i OBSH-së Tedros Adhanom u shpreh se pezullimi i këtij ilaçi është bërë si një masë sigurie për të gjithë njerëzit.

Ishte presidenti amerikan Donald Trump, ai që filloi të përdorte hidroksiklorokinën për të mos u infektuar nga Covid-19. Pas kësaj edhe spitalet dhe farmacitë u furnizuan me këtë ilaç për të trajtuar një pjesë të madhe të pacientëve që ishin bartës të virusit.

Jo vetëm kreu i Shtëpisë së Bardhë, por edhe ministri i Shëndetësisë në Brazil rekomandoi përdorimin ë masë të hidroksiklorokinës dhe klorinës ilaçin kundër malaries për t’u kuruar nga Covid-19. Hidroksiklorokina përdoret kryesisht për të trajtuar artritin.

Sipas ekspertëve të OBSH-së do të shikohet mundësia e përdorimit të medikamenteve të tjera përfshirë këtu edhe Remdesivirin që SHBA-ja e autorizoi një muaj më parë.

Nga ana tjetër kreu i urgjencave Mike Ryan ka deklaruar se nëse masat e izolimit hiqen shumë shpejt atëherë në vende ku kurba e infeksionit është e ulët një valë e dytë pandemie do të rikthehet sërish.

Sipas Ryan, infeksionet mund të rikthehen pas disa muajsh në ato vende që sot kanë hapur të gjitha aktivitetet. OBSH i ka bërë thirrje të gjitha qeverive që të tregohen të kujdesshme në çdo hap që ndërmarrin pasi rreziku tjetër është shumë pranë.

Klan Plus