OBSH jep alarmin për përhapjen e fruthit në Evropë. Në vitin 2018 janë evidentuar 82 mijë raste, ndërsa u shënuan 72 viktima në kontinentin tonë dhe vendet e lindjes, përfshirë Rusinë. Kjo cilësohet si shifra më e lartë në dhjetëvjeçarin e fundit. OBSH thekson se numri i të prekurve është 3 herë më i lartë se në vitin 2017 dhe 15 herë në krahasim me 2016.

Edhe në vendin tonë statistikat flasin për një numër të madh të prekurish nga kjo sëmundje. Sipas Institutit të Shëndetit Publik vitin që lamë janë regjistruar rreth 1 400 të sëmurë, ndërsa 3 prej tyre humbën jetën. Ndërkaq nga fillimi i këtij viti e deri tani janë 51 raste të reja, pjesa më e madhe fëmijë nën moshën 2-vjeç, ndërsa një foshnje vetëm 4 muajshe humbi jetën, pasi ishte e pavaksinuar ndaj këtij virusi.

Sipas OBSH ndër pacientët e prekur nga fruthi në Europë , 61% e tyre janë shtruar në spital për kurim. Të dhënat vijnë nga 47 prej 53 vendeve që u morën në analizë. Drejtorja e kësaj organizate për Evropën, Zsuzsanna Jakab deklaron se ritmi aktual i përhapjes është shumë i lartë dhe nuk mund të ndalet as me angazhimin maksimal për një fushatë të gjerë vaksinimi.

Klan Plus