OBSH nuk ka fonde për të luftuar Koronën


OBSH nuk ka fonde për të luftuar Koronën

22:11 10/08/2020

Kreu i Shëndetësisë: Kemi në dispozicion vetëm 10% të vlerës

Pas ndërprerjes së fondeve nga Shtetet e Bashkuara për OBSH, në konferencën e sotme drejtuesit e kësaj organizate kanë thënë se u janë akorduar vetëm 10% e fondeve, që u ishin premtuar për luftën ndaj koronavirusit.

“Jemi mirënjohës për ata që kanë dhënë kontribute, ne kemi marrë vetëm 10% të fondeve të nevojshme për luftën Covid. Dhe kjo është vetëm një pjesë e investimeve globale të nevojshme për të siguruar që të gjithë, kudo që të kenë mundësi të përdorin mjetet dhe medikamentet e duhura. Vetëm për vaksinat, do të nevojiten mbi 100 miliardë dollarë”.

Ndërkohë që numri i personave të infektuar nga koronavirusi është në prag të 20 milionëve, drejtuesit e OBSH shprehen se njerëzit duhet të mësohen me virusin dhe se vetëm respektimi i masave mund të jetë një zgjidhje.

Sipas kreut të Shëndetësisë Botërore shumë shtete po mendojnë të hapin shkollat, por kjo duhet të bëhet vetëm nëse ata kanë mundësinë që të mbajnë nën kontroll përhapjen e virusit.

Në të njëjtën konferencë, Dr. Mike Ryan, kreu i programit të urgjencave të OBSH-së, tha se pandemia nuk ka treguar model sezonal. Sipas tij, Evropa Perëndimore duhet të reagojnë shpejt ndaj shpërthimeve  të reja.

Në dy javët e fundit virusi ka shfaqur ritme të larta infektimi gjatë dy javëve të fundit në të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Spanja dhe Rumania janë vendet më problematike të 14 ditëve të fundit.

Në Spanjë numërohen rreth 42 mijë raste të reja për këtë periudhë kohore, ndërsa në Rumani mbi 18 mijë. Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është e parafundit për nga numri i rasteve të këtyre 14 ditëve, ku mes 6 vendeve renditet e 5-ta me 1 638 raste infektimesh.

Numrin më të lartë të infektimeve e ka pasur Serbia me mbi 4 600 raste, ndërsa më të ulëtin Mali i Zi me 1 019 të tilla. Gjithsesi vatrat më të mëdha dhe më problematike të momentit janë Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku veç infektimeve ka dhe një numër të lartë viktimash. Në mbarë botën raportohen 732 mijë humbje jete që prej nisjes së pandemisë.

Klan Plus




Të ngjashme