“Duhet bashkëpunim global, ndryshe covid nuk do largohet”

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të qartë se nuk do të aprovojë kurrë një vaksinë kundër koronavirusit që nuk do të jetë efikase dhe e sigurt.

Është kreu i kësaj organizate Tedros Adhanom Ghebreyesus që thotë se do të jenë mjaft të kujdesshëm për t’i lënë rrugë të lirë një vaksine kundër Covid-19. Ai u ktheu një përgjigje edhe kundërshtarëve të vaksinës.

“Kundërshtarët e vaksinës mund të vazhdojnë me pretendimet e tyre, por historia e vaksinës flet vetë. Vaksinat kanë ndryshuar botën. Njerëzit mund ta provojnë edhe vetë. Ftoj mbi të gjitha prindërit që ta bëjnë këtë”.

Kreu i OBSH-së u tregua kritik për marrëveshjet që vendet e mëdha kanë arritur për marrjen e vaksinave të para. Sipas tij, ky nacionalizëm do të ngadalësojë përpjekjet për të shuar pandeminë ndaj bëri thirrje që vaksinat të përdoren në mënyrë të drejtë dhe efektive.

“Nacionalizmi i vaksinave do të zgjasë pandeminë, nuk do ta shkurtojë atë. Nëse dhe kur te kemi një vaksinë efektive, ne duhet ta përdorim atë në mënyrë efektive. Me fjalë të tjera, përparësia e parë duhet të jetë vaksinimi i disa njerëzve në të gjitha vendet dhe jo vaksinimi i të gjithëve në disa vende. Përparësi duhet t’u jepet punonjësve të kujdesit shëndetësor, të moshuarve dhe shtresave të ulëta”.

78 vende me të ardhura të larta janë bashkuar në një plan global të ndarjes së vaksinave “COVAX”, duke e çuar në 170 numrin total të atyre që kane pranuar vaksinën. Deri tani janë 9 vaksina që kanë progresuar më mirë, ndërsa 4 të tjera janë në proces me të dhëna premtuese.

OBSH synon të ndihmojë në blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave në mënyrë të drejtë në të gjithë botën. Por disa vende siç janë Shtetet e Bashkuara kanë siguruar vaksinat përmes marrëveshjeve dhe thonë se nuk do të jenë pjesë e një nisme globale kundër pandemisë.

Tv Klan