Studimi i OBSH: Azia juglindore dhe rajoni i Paqësorit Perëndimor janë më të prekurit nga ky fenomen

Orët e gjata të punës po vrasin qindra mijëra njerëz në vit. Studimi i parë global i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregoi se 745,000 njerëz humbën jetën në 2016 nga goditja në tru dhe sëmundja e zemrës për shkak se angazhohen gjatë në punë.

Raporti zbuloi se njerëzit që jetonin në Azinë Juglindore dhe rajonin e Paqësorit Perëndimor ishin më të prekurit. OBSH gjithashtu tha që tendenca mund të përkeqësohet për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Hulumtimi zbuloi se puna 55 orë ose më shumë në javë shoqërohej me një rrezik 35% më të lartë të goditjes në tru dhe një rrezik 17% më të lartë të vdekjes nga sëmundja e zemrës, krahasuar me një javë pune prej 35 deri në 40 orë.

Studimi, i kryer në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës tregoi se pothuajse tre të katërtat e atyre që vdiqën si rezultat i punës me orë të gjata ishin burra të moshës mesatare ose më të vjetër.

Ndërsa studimi nuk mbulonte periudhën e pandemisë, zyrtarët e OBSH bëjnë të ditur se puna në distancë dhe ngadalësimi ekonomik mund të kenë rritur rreziqet që lidhen me orët e gjata të punës.

Klan News