Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit në ato shtete që po përballen ende me rënie të numrit të infeksioneve.

Sipas kreut të urgjencave të OBSH, Mike Ryan, këto vende rrezikohen të përballen për herë të dytë me një numër të lartë të të infektuarve nëse heqin dorë shumë shpejt nga masat parandaluese.

Ryan tha se bota është në mes të valës së parë të pandemisë. Ai theksoi se pandemitë shpesh kanë disa valë, që do të thotë se infeksionet mund të rikthehen pas disa muajsh në ato vende ku ka rënë vala e parë e të infektuarve.

Sipas tij, ka një rrezik të shtuar edhe në faktin nëse shtete të caktuara po heqin shumë shpejt masat kufizuese, vala e dytë e infeksioneve të jetë më e madhe.

Drejtori i urgjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë bëri thirrje që shtetet e Evropës dhe SHBA të vazhdojnë të mbajnë në fuqi masat e distancimit fizik, të kryejnë testime dhe të hartojnë strategji për të çuar drejt reduktimit të numrit të të infektuarve. /tvklan.al