OBSH paralajmëron të vaksinuarit: Kujdes, nuk jeni plotësisht të mbrojtur nga Covid-19 - Tv Klan

OBSH paralajmëron të vaksinuarit: Kujdes, nuk jeni plotësisht të mbrojtur nga Covid-19


OBSH paralajmëron të vaksinuarit: Kujdes, nuk jeni plotësisht të mbrojtur nga Covid-19

22:18 24/11/2021

Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vaksinuar me vaksinat anti-covid që të mos ulin vigjilencën ndaj koronavirusit.

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se të vaksinuarit nuk duhet të tregohen të pakujdesshëm ndaj Covid-19, por të vazhdojnë të respektojnë masat kundër koronavirusit edhe pse janë të vaksinuar. Kjo do të thotë që ata duhet të vazhdojnë të mbajnë maskë dhe të respektojnë distancimin fizik.

Edhe nëse jeni të vaksinuar duhet të vazhdoni të jeni të kujdesshëm për veten tuaj dhe për personat që ju rrethojnë. Mbajtja e maskës dhe distancimi fizik është një mënyrë e cila të mbron nga kjo sëmundje”, u shpreh kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shtoi gjithashtu se shtetet nuk duhet që të neglizhojnë masat kundër covid.

“Disa shtete kanë krijuar një siguri false sikur pandemia ka përfunduar dhe të vaksinuarit janë plotësisht të mbrojtur kundër Covid-19”, tha ai për media në një konferencë nga Gjeneva.

Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se vaksinat kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe kanë zvogëluar riskun e fataliteteve, por të vaksinuarit janë ende të rrezikuar nga Covid-19 dhe përhapja e kësaj sëmundje tek të tjerët, sikurse është provuar tashmë në shumë raste.

OBSH parashikon që më shumë se 2 milionë njerëz mund të vdesin nga Covid-19 në Europë gjatë Dimrit.

Austria tashmë është futur në një izolim të ri kombëtar 10-ditor, ndërsa vendet e tjera, përfshirë Gjermaninë, po mendojnë për masa të reja kufizuese, madje edhe vaksinim të detyrueshëm.

Gjithashtu, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka bërë thirrje për të shmangur udhëtimin në Gjermani dhe Danimarkë për shkak të rrezikut të shtuar ndaj infektimit me Covid-19. /tvklan.al








Të ngjashme