Vdekshmëria në rritje. Shkollat duhet të hapen

Grupmosha 55-64 vjeç në Shqipëri po sëmuret më rëndë nga Covid. Është ky shqetësimi i zyrës së OBSH në Shqipëri. Në një intervistë për Televizionin Klan, përfaqësuesja Bettina Menne thotë se gjatë javëve të fundit është vënë re një rënie e të infektuarve nga 74 në 62/100.000 persona krahasuar me 14 ditë më parë, por problem mbetet mosha e të prekurve rëndë.

“Lajmi i mirë është se ka një rënie të numrit të të infektuarve javët e fundit, nga 74 në 62 për 100 mijë persona, krahasuar me 14 ditë më parë. Ndërsa vdekshmëria në Shqipëri është 11.4 persona për 100 mijë banorë, çka e rendit vendin mes vendeve me vdekshmërinë më të ulët në rajonin Europian, por ky trend ka prirje të rritet. Çështja tjetër shqetësuese është ajo e personave që po sëmuren rëndë. Mosha mesatare e këtij grupi nuk është më 80 e sipër, as 70-vjeçarë, sëmundja po prek rëndë grupmoshën 55 deri në 64 vjeç”.

E pyetur nëse duhet të hapen shkollat në Shqipëri dhe a i përmbushin kushtet, Menne thotë:

“Të sigurosh mësimin dhe dijen është kyçe për një jetë më të mirën për fëmijët, prandaj shkollat duhet të hapen. Unë nuk mund të bëj diferencën për kushtet e shkollave, por mund të them se kam ndjekur dhe udhëzuar protokollet e shëndetësisë dhe ato të Ministrisë së Arsimit dhe ato duhet të ndiqen me rigorozitet nga prindër, fëmijë dhe mësues, për të frenuar përhapjen e Covid”.

Bluzat e bardha dhe ekspertët e shohin më shqetësim hapjen e shkollave, pasi sipas tyre tashmë pritet një rritje e numrit të të infektuarve. Për këtë arsye ata rekomandojnë respektim të masave, mbajtjen e maskës dhe ruajtjen e distancës.

Tv Klan