“Maska në publik nëse dyshoni për infektim”

Maskat janë mjet kyç kundër Covid-19. I këtij mendimi janë ekspertët e Shëndetësisë Botërore, të cilët në përditësimin e fundit të udhëzimeve për menaxhimin e pandemisë, kanë kërkuar që maskat në publik të përdoren në situata specifike.

OBSH rekomandon mbajtjen e maskës në mjedise publike pas një ekspozimi të fundit ndaj Covid-19, kur dikush dyshon ose është i infektuar.

Veç maskës, ekspertët rekomandojnë të zbatohet një periudhë 10-ditore karantinim për të gjithë ata që janë të infektuar me Covid në rastet kur kanë simptoma dhe 5 ditë për ata që janë të testuar pozitivë, por s’kanë asnjë shenjë të sëmundjes.

E sa i takon trajtimit, “Paxlovid” rekomandohet të përdoret në pacientët e infektuar që kanë simptoma dhe rrisk të lartë për t’u hospitalizuar.

Sa i takon Shqipërisë, përdorimi i maskës vijon të rekomandohet nga ekspertët për të gjithë popullatën kur gjenden në mjedise të mbyllura dhe me grumbullime.

Karantimi për personat e infektuar është 5 ditë dhe më pas kërkohet, mbajtja e maskës për 5 ditë të tjera. Në rastet kur temperatura zgjat më shumë se 5 ditë, karantina zgjatet.

Paralelisht me të infektuarit, ekspertët shqiptarë rekomandojnë karantimin për 5, edhe për personat e kontaktit.

Tv Klan