Rastet e të prekurve me fruth vazhdojnë të rriten. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se rastet e raportuara nga fruthi në rang global u rritën me 300 për qind në tre muajt e parë të vitit 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Sipa këtij raporti, Shqipëria ndodhet në zonën e rrezikut më të madh së bashku me vendet e rajonit, që në hartë shënohen me të kuqe.

Të dhënat e Organiztës Botërore të Shëndetësisë i konfimon edhe Instituti i Shëndetit Publik. Nga Janari i këtij viti dhe deri tani regjistrohen 615 raste me fruth. Duke shënuar një rritje të lehtë me një vit më parë ku regjistroheshin 600 të prekur nga virusi. Numrin më të lartë të të prekurve e kanë qytetet e Tiranës, Lezhës, Korçës dhe Durrësit. Deri tani 2 fëmijë të pavaksinuar kanë humbur jetën nga fruthi.

Para një jave, Maqedonia e Veriut shpalli epideminë e fruthit, me rreth 1 mijë të prekur nga Dhjetori deri në muajin Prill. Ndërsa 3 persona kanë humbur jetën të infektuar me virusin e fruthit.

Mjekët tërheqin vëmendjen se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në mosekspozimin e femijëve nën 1 vjeç në ambiente të populluara dhe njëkohësisht t’i dërgojnë në kohë në spital, kur sëmundja shfaqet. Vaksinimi përmes dy dozave, sipas mjekëve mbetet parandalimi më i mirë i prekjes nga ky virus.

Tv Klan