Pandemia mund të ketë marrë 6-8 milionë jetë

Të dhënat zyrtare që tregojnë numrin e vdekjeve që i atribuohen direkt ose indirekt pandemisë COVID-19 mund të jenë 2 ose 3 herë më të larta.

Deklarata vjen nga zyrtarë të OBSH-së të cilët kanë analizuar shifrat e jetëve të humbura duke arritur në përfundimin se ato mund të jenë nga 6 në 8 milionë persona në mbarë botën ndërsa zyrtarisht thuhet se pandemia ka shkaktuar 3.4 milionë viktima.

Sipas këtyre të dhënave vetëm në vitin 2020 kanë humbur jetën nga pandemia 3 milionë persona ose 1.2 milion më shumë se ato që janë raportuar zyrtarisht.

“Pandemia është ende duke u përhapur dhe ne po shohim rritje të vdekjeve në Amerikën Latine dhe në Azi, veçanërisht në Indi dhe Nepal. Jemi të sigurt të themi se ajo që po shohim sot me 3.4 milionë vdekje të jetë 2 ose 3 herë më e lartë”.

Analistët e të dhënave të OBSH-së thonë se kjo vlerësim përfshin edhe vdekjet e pa raportuara të COVID-19, ashtu edhe vdekjet indirekte për shkak të mungesës së kapaciteteve spitalore, kufizimeve të lëvizjeve dhe faktorë të tjerë.

Në këtë llogari përfshihen edhe personat që humbën jetën pa mundur të testohen për Covid-19 apo ata që për shkak të kushteve të vështira u shmangën nga kujdesi shëndetësor.

Tv Klan