Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se vaksina kineze Sinovac është efektive në parandalimin e infektimit me Covid-19 tek të rriturit nën 60 vjeç. Vlerësimi jepet në një dokument të brendshëm që është siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, ku jepen disa përfundime paraprake mbi efikasitetin e vaksinës që po injektohet për imunizimin masiv të popullatës edhe në Shqipëri.

Por teksa shprehet besimi i plotë për efikasitetin për moshat 18-59 vjeç, OBSH thotë se firma kineze nuk ka paraqitur të dhëna bindëse për efektet e rënda anësore që mund të shfaqë injektimi i Sinovac-ut tek disa pacientë, nga testet klinike të kryera në disa vende të botës, si Kinë, Turqi, Brazil, Kili, etj. Mungesë të dhënash ka sidomos për sigurinë e injektimit tek gratë shtatzëna dhe tek të moshuarit 60 vjeç e sipër.

Sakaq, po sipas Reuters, OBSH shpreh më pak besueshmëri për vaksinën tjetër kineze Sinofarm, që injektohet masivisht në vendet e rajonit, si Serbi e Maqedoni të Veriut. Autoritetet serbe kanë deklaruar se mund ta prodhojnë këtë vaksinë në vend. OBSH po shqyrton mundësinë e përfshirjes së vaksinave kineze në listën e dozave të rekomanduara për përdorim global, ku deri tani janë 5 vaksina, mes të cilave Pfizer dhe AstraZeneca.

Tv Klan