Ndihmave për të prekurit nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit i është bashkuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës. 4 maune , 4 kamione dhe 3 autobusë mbërritën në Shqipëri të shoqëruara nga Kryetari, Berat Rukiq.

Ndihmat që u siguruan nga subjektet private që bëjnë pjesë në Odën Ekonomike të Kosovës përbëhen nga 100 ton ushqime gjysmë të gatshme, produkte higjienike, veshmbathje dhe batanije.

Mes ndihmave të siguruara nga Oda Ekonomike e Kosovës ishte edhe një kuzhinë e lëvizshme dhe 100 vullnetarë me kapacitet për 10 mijë racione ushqimi të ngrohtë në ditë, për 7 ditët e ardhshme.

 Kjo ndihmë u bë e mundshme edhe falë bashkëpunimit me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë dhe kërkesës për mbështetje, që kryetarja Ines Muçostepa, u bëri për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti. /tvklan.al