Kuqezinjtë po përgatiten për Uellsin dhe Çekinë

Kombëtarja mbërriti në Uells, ku të shtunën të luajë ndaj përfaqësueses vendase një miqësore, skuadër që është pjesëmarrëse në finalet e Europianit. Kuqezinjve i janë shtuar mungesat.

Pas portierit Berisha dhe mbrojtësit Hysaj, Shqipëria humb edhe një tjetër futbollist. Edoardo Reja nuk do të ketë mesfushorin Odise Roshi, i cili ka pësuar tërheqje muskulore gjatë seancës stërvitore të ditës së hënë dhe i është nënshtruar menjëherë vizitave të specializuara mjekësore.

Duke parë gradën e dëmtimit, stafi mjekësor i Kombëtares vendosi që lojtari të qëndrojë pushim dhe të mos jetë i gatshëm për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Çekisë.

Tre lojtarët me më shumë ndeshje do të mungojnë në dy sfidat miqësore, kështu që shiritin e kapitenit tani do ta mbajë njëri mes Amir Abrashit dhe Berat Gjimshitit.

Gentian Selmani në portë pritet të debutojë me ngjyrat kuqezi. Delegacioni kuqezi është akomoduar tashmë në hotelin ku do të qëndrojë në Kardif dhe pasdite ka kryer seancën stërvitore të plotë.

Tv Klan