Operacioni Forca e Ligjit është stacionuar kësaj here në qytetin e Shkodrës, ku i ka dërguar shkresën për deklarimin e pasurisë 4 personave, njëri prej të cilëve në paraburgim. OFL u ka kërkuar këtyre personave që të vetëdeklarojnë burimin e pasurisë që kanë.

“Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: M. L., banues në Shkodër, i cili aktualisht është i paraburgosur në burgun e Shkodrës, I. L., B. C., dhe G. C., banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas ligjit, këta persona duhet t’u përgjigjen me shkrim brenda 48 orësh të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas përgjigjet e marra do të dërgohen në SPAK për veprime të mëtejshme./tvklan.al