Hetohen pasuritë e Lulzim Berishës dhe Ardian Çapes

Pas sekuestros së resortit “Golden” në Shijak, në pronësi të familjes Hajri, Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar pronat e 6 personave të tjerë që akuzohen se janë përfshirë në pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Aksioni u shtri në qytetin e Shkodrës dhe fshatrat përreth.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu u janë sekuestruar pasuritë 6 personave. Bëhet fjalë për apartamente, vila, sipërfaqe toke dhe disa automjete.

Gjatë paradites Operacioni Forca e Ligjit nisi hetimet për pasuritë e dy personave që dyshohet se drejtojnë dy grupe kriminale në Durrës dhe Elbasan.

Bëhet fjalë për Lulzim Berishën, të dënuar me burg përjetë për disa vepra të rënda penale dhe të liruar nga Apeli i Durrësit pasi qëndroi 10 vjet në qeli dhe për Ardian Çapen, që dyshohet se ka organizuar disa vrasje në Elbasan.

“Forca e Ligjit” kërkon që të dy këta persona të justifikojnë pasurinë brenda 2 ditësh, në të kundërt do t’u sekuestrohen.

“Si subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.”.

Avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi, sqaroi pas deklaratës së policisë se klientit të tij nuk i ka mbërritur ende ndonjë formular. Ai tha se Lulzim Berisha nuk ka më pasuri në emër të tij, pasi të gjitha i kanë kaluar shtetit vendim të gjykate në vitin 2007.

Hysi tha për Tv Klan se Berisha disponon vetëm një autobot që shet naftë në portin e Durrësit dhe një bar kafe që e ka lëshuar me qira.

Ndërsa Ardian Çapja, që policia thotë se dyshohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në qytetin e Elbasanit për motive hakmarrjeje dhe se ka kryer vrasje me pagesë, në periudhën 2009-2016, zotëron së bashku me familjen e tij disa biznese në fushën e hotelerisë dhe disa apartamente.

Nën verifikimin e strukturës së Forcës së Ligjit do të kalojnë të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit për të parë nëse i justifikojnë ose jo pasuritë e tyre.

Tv Klan