Ndërsa pjesa maqedonase e Liqenit të Ohrit është shpallur monument kulture dhe mbrohet nga UNESCO që nga 1979, pjesa shqiptare mund ta ketë këtë fat në verën e këtij viti. Qeveria shqiptare dorëzoi para pak ditësh dosjen voluminoze me listën e monumenteve kulturore dhe natyrore që synohet të merren në mbrojtje. Identifikimi i tyre dhe përgatitja e këtij dokumenti, ishte pjesë e një projekti studimi 3 vjeçar që kushtoi 2.4 milionë dollarë, 90% i financuar nga Bashkimi Europian.

Ura Terziut, ura dhe Kisha Shën Mërisë në Nice, varret mbretërore të Selcës, Bazilika e Linit me mozaiket e saj, si dhe qendra e këtij fshati janë disa nga monumentet e listuara për t’u mbrojtur nga UNESCO, në listë përfshihen dhe kostumet popullore të burrave dhe grave, folklori dhe kulinaria e zonës.

Por kultura zë vetëm 20% të dosjes. 80% tjetër e zë mjedisi. Liqeni i Ohrit është ndër më të lashtët në botë e që vazhdon të ekzistojë për rreth dy deri në tre milionë vjet. Në ujërat e tij të thella gjenden mbi 200 lloje bimësh dhe kafshësh unike, duke përfshirë algat, kërmijtë, krustacë dhe peshq. Qyteti i Ohrit në anën tjetër të kufirit është një nga vendbanimet më të vjetra të njeriut në Europë.

Pjesë përbërëse e projektit është edhe hartimi i një plani financimi për këtë zonë, pasi nuk është e mjaftueshme vetëm shpallja. Ky është një detyrim që duhet të bëhet për njohjen e zonës nga UNESCO. Dosja, së bashku me planin e menaxhimit dhe kërkesën, do të mund të shqyrtohet nga UNESCO. Më pas ekspertët e saj do të vijnë për të verifikuar në terren të gjithë situatën. Ekspertët do t’i përkasin fushës së kulturës e natyrës, që do të shohin me hollësi të gjithë terrenin.

Në fazën e parë parashikohet të jepen rekomandime dhe përfundime nga Komisioni Vlerësues. Nëse ato janë pozitive, atëherë do të mund të kemi njohjen e zonës.

Klan Plus