Në Gaza ka pllakosur uria. Pavarësisht se Izraeli nën presion ndërkombëtar lejoi të martën hyrjen e mbi 100 kamionëve me ndihma humanitare, zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric konfirmoi se deri pasdite vonë nuk u shpërnda asnjë ndihmë.

Shumica e ndihmave qëndrojnë në bllokuara në pikën e kalimit kufitar Kerem Shalom. Zëdhënësi Dujarric shtoi se “ekipet e OKB-së në terren “nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë mbërritjen e këtyre furnizimeve në depot dhe pikat dorëzimit”.

Këtu palestinezi Mahmoud al-Haë teksa qëndron në radhë mes dhjetëra njerëzve në Jabalia për të marrë supë që nuk mjafton për të ushqyer familjen e uritur. 39-vjeçari kujdeset për gruan dhe katër fëmijët, si dhe për dy fëmijët e të vëllait. Të hënën Haw tha se priti me orë të tëra për të marrë një enë me supë, e cila do të jetë mëngjesi, dreka dhe darka e tyre.

Tanket izraelite u panë të martën në brendësi të Rripit të Gazës pak pasi sulmet ajrore të forcave pushtuese vranë të paktën 50 palestinezë në Gaza. Izraeli vazhdoi bombardimet pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për të ndaluar operacionet ushtarake dhe për të lejuar hyrjen e ndihmës.

Veçanërisht presidenti Donald Trump është shprehur i frustruar nga vazhdimi i luftës në Gaza dhe i mërzitur nga vuajtjet e fëmijëve palestinezë. Ndërkohë komunikimi i tij me Kryeministrin izraelit Netanyahu është ndërprerë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka thënë ndihmësve t’i thonë Kryeministrit izraelit se Trump dëshiron fundin e menjëhershëm të luftës.

“Presidenti është i frustruar për atë që po ndodh në Gaza. Ai dëshiron që lufta të përfundojë, që pengjet të kthehen në shtëpi, dëshiron që të hyjë ndihma dhe të fillojë rindërtimi i Gazës”, i tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë agjencisë Axios.

Ndërkohë administrate mohoi se ka diskutuar shpërnguljen e palestinezëve nga Gaza në Libi. Gjatë raportimit në Senat, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, tha se Uashingtoni u ka kërkuar disa vendeve në rajon të jenë të hapura për të pranuar banorë të Gazës që duan të lëvizin vullnetarisht.

Për të rritur presionin diplomatik shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, urdhëroi rishikimin e marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, një marrëveshje e tregtisë së lirë midis dy rajoneve. Më herët Britania e pezulloi marrëveshjen e tregtisë së lirë me Izraelin.

Ministria e Jashtme izraelite iu përgjigj Britanisë, duke thënë në një postim në rrjetet sociale se Izraeli nuk do t’i nënshtrohet “presionit të jashtëm”.

Klan News