OKB: Gjykimi saudit për vrasjen e Khashoggit “nuk mjafton”

OKB: Gjykimi saudit për vrasjen e Khashoggit “nuk mjafton”

19:01 04/01/2019

Zëdhënësja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha se gjykimi që zhvillohet në Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi “nuk është i mjaftueshëm”.

Duke folur për gazetarët në Gjenevë, Shamdasani përsëriti thirrjen e zyrës për një hetim të pavarur “me përfshirje ndërkombëtare” në incident.

“Që nga fillimi i këtij rasti, ne kemi qenë këmbëngulës për drejtësi. Ne kemi bërë thirrje për një hetim të pavarur me përfshirjen ndërkombëtare. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë gjykim që po ndodh në Arabinë Saudite, por kjo nuk është e mjaftueshme”

, tha Shamdasani.

Sipas Anadolu Agency, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me kërkimin e dënimeve me vdekje për 5 të dyshuarit nga një prokuror saudit, Shamdasani tha se zyra e të drejtave e OKB-së gjithmonë kundërshton dënimin me vdekje.

Seanca e parë e të dyshuarve në rastin e vrasjes së Khashoggit u mbajt gjatë ditës së djeshme në kryeqytetin saudit, Rijad.

Mediat lokale raportuan se një gjykatë penale në Rijad mbajti seancën gjyqësore për 11 të pandehur, duke cituar një deklaratë të lëshuar nga Prokuroria Publike Saudite. Prokuroria Publike kërkoi dënimin me vdekje për 5 të pandehur.

Khashoggi, një kontribues i “The Washington Post”, u zhduk pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor. Pas disa shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi e pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës./AA

Të ngjashme
UKT