Shefi për të drejta të njeriut të Kombeve të Bashkuara, Zeid Raad al-Hussein, ka thënë se ekspertët e OKB-së do të hetojnë sulmin vdekjeprurës në një kamp të refugjatëve në Siri ku mbetën të vrarë të paktën 28 persona të enjten.

Al-Hussein tha se  “ka jashtëzakonisht pak gjasa që ky sulm vrastar të jetë aksident” duke shtuar se ai “mund të përbëjë krim lufte”.

Al-Hussein ka thënë se raportet se sulmi është kryer nga avionët sirianë duhet të konfirmohen. Ushtria e Sirisë ka mohuar se avionët e saj kanë qenë të përfshirë në sulm.

Ajo ka thënë se forcat opozitare janë përgjegjëse.  Sulmi, të enjten pasdite, ka ndodhur një ditë pasi është konfirmuar zgjatja e armëpushimit. Franca dhe disa vende të tjera më parë kishin dënuar sulmin në veri të Sirisë duke bërë thirrje për një hetim./tvklan.al