Kombet e Bashkuara do të kërkojnë të hënën nga Moska që të sqarojë se çfarë ka ndodhur me mijëra fëmijët ukrainas që besohet se janë dërguar me forcë në Rusi, prej nisjes së luftës në Ukrainë. Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Fëmijëve – 18 ekspertë të pavarur – pritet të vlerësojnë dëshmitë e Rusisë për dy ditë.

Lista e tyre e gjatë e shqetësimeve i është dërguar Moskës në gjysmën e parë të vitit 2023. Ata dëshirojnë të dinë sa fëmijë janë “evakuuar” në Rusi, apo brenda territorit ukrainas të pushtuar prej Rusisë.

Ekspertët kanë thënë se dëshirojnë të dinë se çfarë ka bërë Moska për të mbrojtur “të drejtën e këtyre fëmijëve për të ruajtur identitetin, përfshirë kombësinë, emrin dhe marrëdhëniet familjare”.

Kievi vlerëson se 20.000 fëmijë ukrainas janë dërguar me forcë në Rusi. Moska ka thënë se dëshiron t’i mbrojë këta fëmijë prej luftimeve. Deri më tani, vetëm rreth 400 fëmijë janë riatdhesuar.

Rusia pati thënë në disa përgjigje me shkrim në tetor se vendet për fëmijët e evakuuar janë të caktuara dhe lëvizjet bëhen me miratimin e tyre. Autoritetet ruse nuk kanë treguar numrin total të fëmijëve të marrë prej Ukrainës, mirëpo ka përmendur se aty përfshihen fëmijët jetimë dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL