“Disa qeveri po shtypin kundërshtarët me masat e emergjencës ndaj Covid-19”

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se masat e jashtëzakonshme për frenimin e përhapjes së koronavirusit mund të shkaktojnë një katastrofë globale të të drejtave të njeirut.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet u bën thirrje qeverive botërore, të mos keqpërdorin fuqitë e përkohshme që u kanë dhënë këto masa. 

”Masat e emergjencës nuk duhet të përdoren si armë nga qeveritë për të shtypur ata që mendojnë ndryshe, për të kontrolluar popullsinë apo për qëndruar në pushtet në pafundësi. Ato duhet të përdoren për t’u përballur me pandeminë, asgjë më shumë, asgjë më pak”, shprehet komisionerja Bachelet.

Një shqetësim të tillë ngriti pak ditë më parë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ai tha se në disa vende të botës po shtohen rastet e shprehjes së urrejtjeve mbi baza etnike që lidhen me Covid-19.

Autoritetet e disa shteteve po shfrytëzojnë fuqitë shtesë për të goditur kundërshtarët apo pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike dhe kulturore.

Guterres thotë se janë evidentuar edhe raste të diferencimit mbi bazat etnike të personave, të cilëve u jepet ndihmë mjekësore për koronavirusin. Megjithatë kreu i OKB-së nuk foli për raste konkrete.

Tv Klan