Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar se Jemeni i shkatërruar nga lufta, është “në rrezik të pashmangshëm të përballjes me urinë më të rëndë që bota ka parë në dekada”, ku jeta e miliona njerëzve është në rrezik.

Ky paralajmërim i shefit të OKB-së vjen pas raportimeve nga Shtetet e Bashkuara se planifikon që ta njohë si organizatë terroriste lëvizjen rebele Huthi të Jemenit, me qëllim që të rrisë presionin mbi mbështetësin e kësaj lëvizjeje, Iranin.

Grupet e ndihmës kanë thënë se përcaktimi i rebelëve Huthi si organizatë terroriste do të vështirësojë dërgimin e ndihmës për 80 për qind të popullatës prej 24 milionë banorësh të Jemenit, të cilët varen nga këto ndihma për mbijetesë. Po ashtu, kjo lëvizje e SHBA-së, sipas grupeve të ndihmës, do të minojë shpresat se mund të rinisin bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen.

Pas paralajmërimeve për sanksione të mundshme të SHBA-së, shefi i OKB-së, Guterres bëri thirrje për kujdes mbi çdo politikë e cila sipas tij do të mund të përkeqësonte situatën.

“I bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndikim që të veprojnë urgjentisht mbi këto çështje për të shmangur katastrofë dhe gjithashtu bëj thirrje që të gjithë të përmbahen nga veprime që do të mund të përkeqësonin situatën, tashmë të rëndë”, tha ai përmes një deklarate.

Jemeni është në luftë civile që prej vitit 2015. Konflikti ka vrarë mbi 100,000 persona dhe ka shkatërruar infrastrukturën, duke krijuar një prej krizave më të rënda humanitare në botë.

Rebelët Huthi kanë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe shumë pjesë në veri dhe perëndim të vendit. Ata po luftojnë kundër qeverisë që mbështetet nga sauditët.

Konflikti po ashtu është zgjeruar përtej kufijve të Jemenit, ku rebelët Huthi kanë kryer sulme me dronë dhe raketa kundër Arabisë Saudite./REL