OKB: Shqipëria pakësohet me 1 person çdo 38 minuta

OKB: Shqipëria pakësohet me 1 person çdo 38 minuta

16:12 27/10/2019

Ndikojnë emigracioni dhe ulja e lindjeve

Me 2 500 persona është pakësuar popullsia e Shqipërisë nga 1 Janari deri 4 Tetor të 2019-ës.

Për rreth 30 vjet “Rruga e Ambasadave” është kthyer në simbolin e shpresës së shqiptarëve për të lëvizur jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Organizata e Kombeve të Bashkuara popullsia shqiptare pakësohet me 1 person çdo 38 minuta, si pasojë e emigracionit.

Jo vetëm emigracioni i lartë, por edhe ulja e numrit të lindjeve kanë ndikuar në pakësimin e popullsisë. Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë vitit 2019 në Shqipëri kanë lindur 92 foshnja në ditë, ndërkohë kanë vdekur 63 persona në ditë. Ritmi i rritjes natyrore të popullsisë pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, por sipas OKB-së, norma do të bëhet negative rreth vitit 2027.

Sipas Institutit të Statistikave, 356 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi që prej vitit 2011. Numri më i lartë i emigracionit raportohet në periudhën 2011–2013 me rreth 55 mijë persona të larguar në vit. Përkundrejt tyre, numri i personave që janë kthyer në Shqipëri ka rënë dukshëm. Në 8 vjet, numri i imigrantëve arrin në 215 mijë persona. Nga 37 mijë persona të kthyer në 2011-n, në 2018 janë kthyer vetëm 23 mijë. 

Një valë të re emigrimi paralajmërojnë të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO), teksa raportojnë se rreth 12 000 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, vetëm për periudhën Janar-Korrik 2019. 

Tv Klan





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi