E majta gjermane kryeson në sondazhe

Për herë të parë në gati 20 vitet e fundit, Social Demokratët gjermanë kryesojnë sondazhet për të fituar zgjedhjet parlamentare të 26 Shtatorit. Nën udhëheqjen e ministrit aktual të Financave Olaf Scholz, partia e majtë që ka ndarë në vitet e fundit pushtet me kristiandemokratët e Merkel, po fiton revansh.

Scholz thotë se Gjermania duhet të shkojë në një drejtim tjetër nga ai që ka ndjekur nën drejtimin e kancelares Angela Merkel. Megjithë këtë entuziazëm, edhe nëse socialdemokratët do të fitojnë zgjedhjet për Bundestagun, me siguri ata nuk do të kenë numrat për të qeverisur të vetëm dhe do t’u duhet që të krijojnë një koalicion me parti të tjera.

Po aq i qetë, i ditur dhe serioz sa vetë Merkel, Scholz shfaqet si kandidati më i besueshëm se secili prej rivalëve të tij. Socialdemokratët premtojnë ta bëjë strehimin më të përballueshëm dhe të rrisin pagën minimale në 12 € nga 9,60 € në orë. Scholz flet për rritjen e investimeve në arsim dhe dixhitalizim. Megjithatë, si kujdestar i financave publike të Gjermanisë, ai nuk është i prirur të heqë dorë nga rregulli i balancuar i Kushtetutës i buxhetit.

Partneri më i dukshëm i socialdemokratëve janë të Gjelbrit me të cilët ata ndajnë disa pika të përbashkëta në politikën ekonomike dhe planet për të nxitur energjinë e rinovueshme. Edhe pretendenti i Social Demokratëve për të qenë kancelari i Gjermanisë e ka shprehur hapur dëshirën që të bashkohet me të Gjelbrit në qeverinë e ardhshme federale.

Një parti e tretë ka të ngjarë të jetë e nevojshme për të siguruar shumicën pasi Social Demokratët po rezultojnë me 25 përqind të votave dhe të Gjelbrit me rreth 17 përqind. Për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjeve federale të 26 Shtatorit, të dyja partitë ndoshta do të kenë nevojë të sigurojnë mbështetjen e Demokratëve të Lirë liberalë, që në sondazhe rezultojnë me 12 përqind të votave.

Sipas të dhënave të sondazheve, Kristiandemokratët e Merkel kanë rënë nën 21 përqind të votave. Ndërkohë, perspektiva e një fitoreje Socialdemokrate në Gjermani po inkurajon qendrën e majtë diku tjetër në Evropë, siç mund të jetë Spanja dhe shtete të tjera anëtare të BE-së.

Klan News