Por sondazhet parashikojnë fitoren e të gjelbërve

Olaf Sholc, ministri aktual i Financave në kabinetin e Kancelares gjermane Angela Merkel, do të jetë kandidat i socialdemokratëve në zgjedhjet parlamentare të 26 Shtatorit në Gjermani.

Sholc mori mbështetje thuajse absolute prej 96% të 545 delegatëve në kongresin e zhvilluar gjatë fundjavës në Berlin. Me pjesëmarrjen online të delegatëve mes kufizimeve të pandemisë, Sholc shpalosi planin e tij për rritje pagash duke synuar grumbullimin e votave prej më shumë se 10 milionë punëtorëve që paguhen me paga minimale.

Sholc po ashtu premtoi se nuk do të bëjë më koalicion me të kristian-demokratët siç ka bërë partia e tij gjatë 2 mandateve të fundit. 62-vjeçari konsiderohet si më i djathti mes të majtëve social-demokratë, por megjithatë nuk shihet si një figurë që mund të ngjallë aq pasion mes votuesve sa të ngrejë ndonjë peshë elektorale. Sondazhet e rendisin atë pas kandidates së të gjelbërve që kryeson me mbështetje mes kandidaturave më të pëlqyera në postin e Kancelarit. Ai madje ka të njejtin nivel mbështetjeje me 21%, po aq sa pasardhësi i Merkelit te kristiandemokratët Armin Lashet. Si parti, socialdemokratët janë të 3-tët në mbështetje sipas sondazheve, teksa në krye pritet të renditen të gjelbrit, duke lënë pas edhe kristiandemokratët.

Tv Klan