E identifikuar gjithnjë me muzikën e kryesisht me muzikën rrok, Olimpia Smajlaj, e ftuara e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan tregoi se viti i pandemisë i shërbeu për t’iu futur punës për të krijuar muzikë dhe këngët e saj, por edhe rikrijime të artistëve të tjerë.

Aktualisht, ajo shprehet se po përpiqet të gjejë një ekuilibër midis zhanrit të saj të preferuar dhe muzikës që parapëlqejnë masat, për ta bërë atë të kuptueshme për të gjithë, por edhe të vazhdojë të bëjë atë që do. Për të, është e rëndësishme që të mos fokusohet në muzikën komerciale dhe të dhurojë cilësi në artin e saj.

Rudina Magjistari: Cila janë projektet e tua të ardhshme, pra refleksionet e tua si të projektojnë në të ardhmen?

Olimpia Smajlaj: Refleksionet projektojnë që “futu vajzë në studio dhe provo sa më shumë këngë”.

Rudina Magjistari: Do të investosh në muzikë seriozisht apo jo?

Olimpia Smajlaj: Seriozisht. Ky është vetëm fillimi sepse mua më vjen keq që publiku shqiptar nuk ka arritur të më njohë për atë që realisht jam lidhur me muzikën. Më njohin ndoshta nga televizioni, por nuk dua që ajo të jetë gjëja e parë që ata dinë për mua, dua të jetë muzika. Dua që ata të dëgjojnë muzikën time, të kenë interes për muzikën time.

Rudina Magjistari: E ke menduar që të pushtosh tregun shqiptar duke pasur parasysh që shijet e tregut shqiptar janë nga më të ndryshmet, që dominon shija e stilit të muzikës ballkanike, si e ke menduar të ardhmen tënde?

Olimpia Smajlaj: Kam vazhduar të bëj atë që mendoj unë sepse nuk e kam menduar si burim kryesor financiar muzikën, por që realisht po e shoh si mundësi të tillë sepse dua që ta bëj me shumë qejf. Po mundohem të gjej gjuhën e përbashkët midis asaj që mund ta kuptojë publiku shqiptar, që mos të jetë shumë e izoluar vetëm në një grup specifik dëgjuesish dhe asaj që dua unë realisht. Kënga “BB Wine” ka nota reggae, nuk është aq rrok, aq e vështirë për t’u kuptuar. Këtë do mundohem të bëj unë, të gjej një të mesme midis asaj që pëlqej unë dhe asaj që pëlqen publiku shqiptar dhe mund ta ndjekë.

Rudina Magjistari: Ky paska qenë rezultati i refleksionit të gjatë.

Olimpia Smajlaj: Ky ka qenë përfundimisht, por ideja është që dikush duhet t’i ushqejë njerëzit me muzikë të mirë, jo vetëm me komerciale. Mendoj që mungon një frymë e re, mendoj që mungojnë ca ritme të reja dhe duhet të ketë një lloj diversiteti pak më të madh. Ka disa artistë në Shqipëri që po lëvrojnë ca gjëra të reja te elektronikja dhe dua të jem edhe unë një nga ata që po sjell diçka të re që njerëzit mund të kërcejnë edhe me këtë, jo vetëm me atë që janë mësuar dhe iu jepet gjithmonë e gatshme nga mediat./tvklan.al