Salla zyrtare e stërvitjes ende nuk është hapur, por gjimnasti Petrov nuk humb kohë

Gjimnasti Matvei Petrov që përfaqëson Shqipërinë në disiplinën e kalit me doreza në Lojërat Olimpike Tokio 2020 synon që të jetë në formë perfekte kur gara të nisë.

Ai ndodhet në Tokio e nuk ka humbur kohë, por që në mëngjes kreu seancën e tij të parë stërvitore.

Salla e stërvitjes zyrtare ende nuk është hapur, por Matvein kishte marrë me vete pajisjet e stërvitjes në valixhe, duke mos ndërprerë kështu planin e tij stërvitor.

Gjimnasti do të kryejë stërvitje dy herë në ditë, përfshirë edhe ushtrime fitnesi.

Pritshmëritë janë të mëdha për Petrovin që në Qershor mori medaljen e arit në Kupën e Botës në Gjimnastikë Artistike, që u zhvillua në Osijek të Kroacisë.

Në Tokio ndodhen përveç një pjese të sportistëve, edhe përfaqësues të Komitetit Olimpik Shqiptar që po merren me organizimin dhe që gjithçka të jetë në rregull për eventin që nis më 23 Korrik.

Ndërkohë që në fshatin Olimpik në kryeqytetin japonez, valëvitet edhe flamuri kuqeziu, mes flamujve të tjerë të shteteve pjesëmarrëse në eveni e rëndësishëm sportiv.

Klan News