I dënuar me burg përjetë për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit

Olsi Leku, i cili u ekstradua nga Greqia disa ditë më parë për t’u përballur me drejtësinë si një nga ekzekutorët e Nezar dhe Gentian Beqirit në 2012, doli këtë të shtunë për herë të parë para Gjykatës.

44-vjeçarit nga Gjirokastra iu konfirmua masa e sigurisë “Arrest në burg” pa afat për akuzat e vrasjes për interes si pjesë e një grupi kriminal dhe do të qëndrojë në paraburgim gjatë procesit në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Lekun me burgim të përjetshëm. Ai u shpall në kërkim për vrasjen e dyfishtë pas dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi, i cili i tregoi SPAK, se bashkë me Olsi Lekun, ishin autorë të ngjarjes së porositur nga Ardian e Florenc Çapja.

Ngjarja rezultoi të ishte pasojë e hakmarrjes për vrasjen e vëllait të Ardian Çapjes në vitet 2000, për të cilën ishte hetuar, Gentian Beqiri, i cili gjatë vrasjes në apartamentin e tij ishte në arrest shtëpie.

Në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë shtetasi Florenc Capja, i cili edhe pse u ndalua në Dubai pas urdhër arrestit, u la i lirë pasi u refuzua ekstradimi i tij.

Tv Klan