Olsian Çela merr zyrtarisht detyrën

Prokurori i ri i Përgjithshëm Olsian Çela e mori detyrën në një moment të vështirë për vendin.

Ai e di se ajo çfarë qytetarët kërkojnë në këto ditë nga organi që do të drejtojë për 7 vjet, është drejtësia për shkaqet e shkatërrimeve masive të ndërtesave nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Ndaj, dorëzimin e detyrës nga Arta Marku, e merr me një premtim.

“Shqiptarët presin drejtësi”.

Prokuroritë në Tiranë, Durrës e Thumanë po hetojnë intensivisht për tërmetin. Organi i akuzës u ka kërkuar autoriteteve që të mos prishin asnjë banesë pa lejen e prokurorëve.

Hetuesit dyshojnë se ka shkelje të rregullave të ndërtimit dhe se në abuzime mund të jenë përfshirë inxhinierë, kolaudatorë e nëpunës shtetëror. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë të proceduar.

Hetimi për dëmet katastrofike të tërmetit pritet të jenë puna më e vështirë e organit të akuzës.

Arta Marku, në dorëzimin e detyrës, tha se edhe dy vitet që drejtoi ajo nuk kishin qenë të lehta.

Marku ia dorëzoi personalisht zyrën Olsian Çelës që merr tashmë një mandat të plotë 7-vjeçar.

Një shtrëngim duarsh në dalje mes dy rivalëve për këtë detyrë. Marku shmangu komentet për mediat dhe u largua në këmbë, ndonëse kishte mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme me eskortë.

Tv Klan