Kryeprokurori flet për përgjimet e Antimafias italiane

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka folur në lidhje me përgjimet e publikuara nga Antimafia italiane, ku shfaqen anëtarë të organizatës Ndrangheta që flisnin për mundësinë e investimeve në Shqipëri. Gjatë votimit të dy anëtarëve të rinj të KLP-së, Çela, i pyetur nga gazetarët për nisjen e hetimeve në vendin tonë, tha se prokurorët nuk i ndalon askush.

“Nuk kam informacion për këtë që po pyesni, por keni humbur shansin të pyesni 270 prokurorë të pavarur, të cilëve ligji i ri u mundëson të nisin hetimet, kryesisht, për çdo fakt penal për të cilët vihen në dijeni. Prokurori i ka marrë masat që garantojnë prokurorët të veprojnë në pavarësi të plotë.”

Për këtë çështje, Kryeministri Edi Rama tha se në përfundim të hetimeve të prokurorisë italiane, anëtarët e Ndragheta-s rezulton se kanë dështuar të investojnë në Shqipëri. Ndërsa opozita e cilëson kreun e qeverisë si të lidhur me anëtarë të mafies. Sakaq, Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se do të kërkojë informacion në Itali në lidhje me përgjimet që kanë dalë në mediat vendase dhe më pas do të vendosë për nisjen ose jo të hetimeve.

Tv Klan