Ajo është një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar që jetën e saj private e ka mbajtur gjithnjë larg mediave dhe rrjeteve sociale. Por sot, e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Olta Boka u fokusua teksa mbante një unazë tejet elegante në gishtin e fejesës.

E pyetur për të rejat në jetën e saj private, këngëtarja pranoi se është fejuar dhe marrëdhënia e saj është në një tjetër stad. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaq për herë të parë një foto e çiftit siguruar nga drejtuesja e emisionit Rudina Magjistari.

“Unë udhëtoj me njerëz të dashur, me shoqëri, por pjesa më e madhe e udhëtimeve bëhet me njeriun tim të zemrës. Kam folur për të pa u mediatizuar sepse në një mënyrë apo në një tjetër jam ndjerë edhe pak e bezdisur. Janë udhëtime të shijuara maksimalisht sepse përtej vendimit janë udhëtime nën shoqëri të mirë. Janë disa faza që duhen kaluar në një marrëdhënie dhe unë jam e lumtur që i kam kaluar fazat e rëndësishme pa prezencën e mediave.

Jam në një fazë tjetër të marrëdhënies time, jam fejuar. I fejuari im quhet Ivi. Unë nuk kam dashur kurrë ta përdor për asnjë lloj momenti për të interferuar këtë që unë jam në publik. Nga njëra anë uroj që kjo foto të shuajë kuriozitetin e shumë njerëzve, por nga ana tjetër kam dashur të respektoj dhe të shijoj një marrëdhënie të shëndetshme. Kam dashur gjithnjë ta shmang këtë pjesë për të mbrojtur veten. Fakti që kam qenë edhe më këmbëngulëse për të mos e treguar ishte pikërisht edhe ideja që partneri im të quhet vetëm i fejuari i Olta Bokës. Ai është një individ, i cili punon fort për karrierën e tij dhe nuk do të doja kurrsesi që atij t’i atribuohet vetëm fjala i fejuari i Olta Bokës. Ivi është avokat dhe pedagog në Fakultetin e Drejtësisë. Nuk kemi planifikuar martesë, është diçka që besoj do të vijë normalisht. Familjen e mendoj si investimin më të madh dhe më të shenjtë që mund të bësh. Jeta nuk do të ishte kaq e bukur pa familje”,

tha Boka.

/tvklan.al