“Omicron”, Alimehmeti: Nuk ka studime



“Omicron”, Alimehmeti: Nuk ka studime

15:09 29/11/2021

Alimehmeti: Deri tani variant jo shqetësues. Koronavirusi nuk do të zhduket asnjëherë

Për variantin e ri të koronavirusit, Omicron, i zbuluar në Afrikën e Jugut, sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti nuk ka studime të mirëfillta. Shpalljen e tij brenda dy ditëve si variant shqetësues, Alimehmeti e quan “të nxituar”.

Ilir Alimehmeti: Për Deltën janë dashur mbi 4 muaj që të ndodhte ky ndryshim, që nga momenti i gjetjes së tij deri tek quajtja variant shqetësimi. Si rrjedhojë ka qenë koha për të bërë shumë ndryshime. Për këtë nuk është se kemi studime. Dimë që ka një sërë mutacionesh, disa prej tyre që kanë qenë të lidhura me transmetueshmëri më të lartë. Megjithatë, për ta quajtur variant shqetësimi studimet në këtë drejtim mungojnë. Raportimet që po vijnë nga Afrika e Jugut, flasim për simptoma të lehta. Nuk po flasim për një sëmundshmëri më të lartë.

Sipas tij, pavarësisht masave që mund të marrin shtetet për të frenuar përhapjen e virusit nuk janë efektive. Madje, Alimehmeti thotë se koronavirusi nuk do të zhduket asnjëherë.

Ilir Alimehmeti: Ai do të kalojë në faza endemike, pra do vazhdojë do jetë i pranishëm, do të ngrejë vatra herë pas here. Ama me kalimin e ditëve edhe ne do kemi nga njëri krah vaksina më të efektshme, por dhe trajtime më të efekshme dhe të mos harrojmë që numri i personave që e kanë kaluar, rritet dita ditës. Pra, shkon dhe akumulohet te ajo që ne e quajmë imunitet kolektiv. Në fund fare të ditës, do të shohim ligjet e natyrës që do të na vijnë në ndihmë sepse edhe virusi ligjeve të natyrës i nënshtrohet”.

Epidemiologu vlerëson se situata në vendin tonë është e qëndrueshme. Rritja apo ulja e rasteve të reja sipas tij nuk janë tregues i rëndësishëm, të dhëna të rëndësishme që duhet të shikohen me interes janë shtrimet në spital dhe vdekjet.

Klan News








Të ngjashme