Gjatë konferencës për shtyp, një nga gazetaret e Tv Klan, iu drejtua Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në lidhje me nismën e “Ballkanit të Hapur”, nëse ëshë një mënyrë stabilizimi apo largimi nga rajoni.

Presidentja e KE iu përgjigj pyetjes duke thënë se “Procesi i Berlinit” është kuadri i cili po shtyn drejt integrimit vendet e Ballkanit.

Përgjigja e von der Leyen u pasua nga Kryeministri Edi Rama për zhgënjimin e vendeve që presin të anëtarësohen në BE. Sipas tij, nuk ka rëndësi sa zgjat sepse kjo nuk varet nga një konferencë, e rëndësishme është arritja e objektivave.

Gazetarja: Siç konsiderohet nga të gjithë dhe siç është aktualisht situata në kufirin Kosovë-Serbi, Ballkani është një fuçi baruti që nga momenti në moment mund të shpërthejë. E duke patur parasysh këtë situatë, duke patur parasysh edhe zhgënjimin për të cilin flet Kryeministri sa i takon vendeve që presin të anëtarësohen në BE dhe kjo po zgjat me dekada tashmë, a mendoni se “Open Balkan” është një mënyrë për të stabilizuar këtë rajon, për të vënë paqen për të cilën ju folët apo është një mënyrë për t’u larguar ky rajon nga BE?

Ursula von der Leyen: Unë mendoj që po të shikojmë ecurinë ekonomike, si edhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe thellimin e këtij tregu të përbashkët rajonal, mendoj se “Procesi i Berlinit” është kuadri të cilin ne po përdorim dhe që po e shtyn procesin e integrimit përpara si kuadër në të cilin të gjashta vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre nga të cilat do të përfitojnë dhe kjo ka qenë përvoja jonë me tregun tonë të përbashkët në BE dhe kjo është ajo që po shikojmë tashmë në rajon. Çfarëdolloj iniciative e cila është brenda për brenda “Procesit të Berlinit” dhe çdo iniciativë që sjell bashkëpunimin mirëpritet prej nesh, kështu që ne nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por kontekstin në të cilin propozohet. Pra, të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës, i cili i shtyn të gjithë që të ecin përpara, i fton të gjithë që të jenë pjesë e tyre dhe thellon marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe bashkëpunimin ndërmjet ekonomive të ndryshme të rajonit, pra që të ketë një integrim të thellë të ekonomive, sepse kjo në vetvete është pjesë e procesit.

Edi Rama: Gabim, unë dua ta përsëris ose ta sqaroj. Unë nuk jam i zhgënjyer sepse që të zhgënjehesh njëherë duhet të gënjehesh, por nuk më ka gënjyer mendja, prej disa vitesh tanimë, që ky proces është i parashikueshëm, kështu që nuk kam asnjë zhgënjim, sinqerisht. E kuptoj shumë mirë se çfarë ndodh në Këshillin Europian, e kuptoj shumë mirë se çfarë ndodh në këshillat europianë, njëherë ka njëri zgjedhje, pastaj ka tjetri zgjedhje, pastaj vijnë të tretët dhe pa pritur e pa kujtuar nxjerrin një datë tjetër, kjo është mënyra si funksionon dhe këtu s’ka asnjë gjë për t’u gënjyer e për t’u zhgënjyer jo e jo. Është mënyra si është organizuar BE, kërkon durim, kohë , qetësi, ajo që për ne është e rëndësishme nuk është a e bëmë një konferencë apo nuk e bëmë me Zoom, e rëndësishme është që ne të bëjmë punën. Për sa kohë ne kemi mbështetjen e Komisionit, kemi asistencën me të gjithë dijen dhe ekspertizën e BE, kemi objektivat përpara dhe ne realizojmë objektiva, ne e kemi bërë detyrën tonë, pastaj pjesa tjetër nuk varet nga ne dhe për një gjë që nuk varet nga ne, ne nuk kemi arsye as të gënjehemi, as të zhgënjehemi, është shumë e thjeshtë. Dhe e them me shuam qetësi, pa asnjë nuancë ironie apo cinizmi, sepse ky është realiteti, ne nuk e ndryshojmë dot botën./tvklan.al