Këto janë pamjet e arrestimit të 22 personave të dyshuar si të përfshirë në shitje të droge në Tiranë.
Krahas tyre, 5 të tjerëve iu komunikua masa në qeli pasi janë arrestuar më herët, por që nga hetimet e sektorit të Antidrogës në Policinë e Tiranës, kanë qenë të implikuar në këtë veprimtari.
Ndërkohë, 7 persona të tjerë u shpallën në kërkim. Elton Alushi, drejtori i Policisë së Tiranës, tha se operacioni është zhvilluar në disa faza, si dhe tregoi zonat ku shitej droga.
“Nga veprimet hetimore, rezulton se këta shtetas shpërndanin lëndën narkotike në lagje, lokale e në afërsi të shkollave në qytetin e Tiranës. Gjatë këtij procedimi, në faza të ndryshme janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3.4 kilogramë kokainë, 150 doza heroinë, 500 doza ekstazi, 12 kg kannabis sativa.”
Gjithashtu, Policia njoftoi se vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Tv Klan