Përgjatë dy viteve, Policia dhe Prokuroria e Korçës kanë zhvilluar 3 operacione të rëndësishme antidrogë. Hetuesit kanë finalizuar, pas 6 muajsh hetime operacionin e koduar “Knock Doën 3”.

Pas goditjes së veprimtarisë së paligjshme gjatë vitit të shkuar, Prokuroria e Korçës ka vijuar hetimet për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në veprimtarin e paligjshme. 

Mbrëmjen e të premtes, Policia e Korçës ka nisur punën për të ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në burg” në mungesë të dhënë nga Gjykata e Korçës pas kërkesë së prokurorisë. 

Togat e zeza kanë firmosur 13 masa sigurie “arrest në burg”, nga të cilat strukturat hetimore, kanë ekzekutuar 10 masa ndalimi. Në pranga kanë rënë Piro Papapetro, Petrit Arixhiu, Bledar Repa,  Taulant Repa, Ermal Bezhani, Markelian Kamenica, Enea Frashëri, Gentian Koçoli, Devis Xhaholli dhe Martin Kosturi.

Ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë edhe 6 persona të tjerë, Isuf Durmishllari, Minella Pleqi, Gjergji Renja, Ardi Sterjo, Donald Qemal dhe Nikola Lara.

Për këtë operacion janë proceduar penalisht në total 43 persona, nga të cilët 24 po hetohen në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 388 gramë kokainë, 1 armë zjarri, municion luftarak, fidanë kanabis, llamba led, 9 automjete, 6 peshore elektronike, 28 celularë dhe shuma parash dhe eurosh, të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Klan News