mirdite

Prej më shumë se 12 orësh forcat speciale RENEA janë vënë në ndjekje të një personi të shumëkërkuar, të dënuar me 20 vite burg për vrasje.

Operacioni po zhvillohet në zonën e Oroshit në Mirditë, në një terren të vështirë. I shumëkërkuari është Petrit Dushi. Ai ka bërë rezistencë me armë dhe gjatë paradites mësohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë është plagosur.

Nga efektivët e RENEA-s nuk flitet për të lënduar. Me kalimin e orëve vështirësia e policisë shtohet pasi 44 – vjeçari është njohës i mirë i zonës dhe i armatosur rëndë.

Duke patur parasysh të shkurën kriminale të të kërkuarit dhe zonën ku po zhvillohet aksioni, policia ka hartuar një plan masash ku përfshihet edhe ndërhyrja nga ajri. Policia po bën krehjen e gjithë zonës pasi 44 -vjeçari mund të ketë përfituar nga errësira dhe të jetë fshehur në ndonjë zonë të pyllëzuar.

Petrit Dushi në 19 tetor të vitit 2013 dyshohet se ka vrarë për motive banale Mark Jakun. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ungerej dhe prej asaj dite 44 – vjeçari ka qënë në kërkim.

Dushi nuk është i dyshuar vetëm për vrasjen e 60 – vjeçarit Jaku. Ai dyshohet se në vitin 2003 ka kryer një tjetër vrasje në Kaçinar të Mirditës, por edhe në atë kohë mundi t’i shpëtojë policisë.

Tv Klan