Pranga 17 trafikanteve, mes tyre edhe shqiptarë

Në përfundim të hetimeve që zgjatën 3 vjet, policia italiane shkatërroi një organizatë të trafikut të drogës nga Shqipëria. Mëngjesin e së dielës u vunë në pranga 6 persona mes të cilëve edhe një shqiptar me iniciale M.R. 51-vjeç. Të ndaluarit e tjerë janë italianë, senegalezë dhe një grua rumune. Operacioni ishte koduar “Rruga e detit” dhe sipas autoriteteve italiane gjatë gjithë kohës së hetimeve 3-vjeçare u arritën të arrestohen 17 persona.

Andrea Asuni, Shef i Repartit Te Karabinierëve, OLBIA : Bëhet fjalë për një grup kriminal që niste aktivitetin e tij nga Shqipëria dhe sillnin drogën nëpërmjet rrugëve detare dhe tokësore në Emilja Romanja, Lombardi dhe Lacio.

Sipas hetuesve droga transportohej e fshehur në anije, por edhe në kamionë në rrugë tokësore.

Alberto Cicognani, Kolonel i Repartit të Karabinierëve, OLBIA: Hetimet u quajtën “rruga e detit”. Mori këtë emër për shkak të mënyrës se si kjo organizatë kriminale transportonte drogën nga Shqipëria në Sardenjë dhe rajone të tjera të Italisë. Ata kishin vënë në funksion transportin detar. Në fokus të tyre ishin shkollat dhe të rinjtë.

Hetuesit zbuluan edhe një lloj të ri droge e quajtur kokaina e zezë që është e vështirë të zbulohet nga qentë e antidrogës. Në total u sekuestrua 10 kilogram kokainë dhe një sasi marijuanë.

Tv Klan