Një operacion masiv po zhvillohet aktualisht në Illinois të SHBA, pas të shtënave me armë zjarri që deri më tani raportohen t’i kenë marrë jetën të paktën 6 personave, ndërsa me dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth 10 minuta pasi kishte nisur parada për Ditën e Pavarësisë në Highland Park të Illinois, që ndodhet në veri të Chicago-s.

Autori i kësaj rëndë, i pa identifikuar ende, hapi zjarr mes turmës dhe më pas u largua. Aktualisht e gjithë zona është izoluar ndërsa forca të shumta policie janë vënë në kërkim të tij. Autori besohet të jetë rreth 18-20 vjeç. Në vendin e ngjarjes autoritetet mësohet se gjetën një armë zjarri.

Parada për Ditën e Pavarësisë ishte e para që planifikohej të festohej pas 2 vitesh, pa kufizimet e Covid. Por 4 Korriku u kthye këtë të hënë në shënjestrën e radhës të dhunës së armëve në SHBA.

BBC shkruan se dhuna nga armët në Chicago ka tendencën të rritet përgjatë fundjavave të festave, teksa njerëzit dalin më shumë për shkak të motit të nxehtë. Në 2021, mbi 100 persona u qëlluan me armë zjarri, 17 prej të cilëve u vranë, pikërisht gjatë fundjavës kur festohej 4 Korriku, në qytetin e Chicago-s.

Të shtënat e kësaj të hëne vijnë vetëm një muaj pas masakrës në Uvalde të Teksasit dhe asaj të Buffalo-s në New York dhe një javë pasi Kongresi Amerikan kaloi legjislacionin e parë bipartizan për armët./tvklan.al