Një operacion antidrogë u finalizua në orët e para të kësaj të mërkure në Itali dhe Shqipëri. Si rezultat i një hetimi të zhvilluar me skuadër të përbashkët hetimore mes SPAK dhe prokurorisë italiane u lëshuan 52 masa sigurie.
Në kuadër të operacionit është ndaluar në Fier administratori i një shoqërie transporti pasagjerësh me autobus, ndërsa ka urdhërarrest për një avokat në Durrës dhe një ish-punonjës policie.
Për ekzekutimin e tyre u zhvillua operacion në disa qytete të Shqipërisë. Procedimi penal është regjistruar për akuza të trafikut të lëndëve narkotike, organizatë kriminale dhe shpërdorim të detyrës dhe pastrim parash.
Nga hetimet ka rezultuar se organizata kishte ngritur një rrugë të trafikut të kokainës dhe heroinës nga vende të Ballkanit, me qendër veprimi në Puglia dhe që shpërndahej në Europën Veriore.
Hetimet në Shqipëri u ndoqën nga prokurori i posaçëm Vladimir Mara.
Tv Klan